Skip to content Skip to footer

Informata të Përgjithshme për Gërminë

Shtrihet në verilindje të Prishtinës dhe përfshinë një sipërfaqe prej 62 km2. Kufijtë e Gërmisë fillojnë prej kodrës së vreshtave në perëndim, pastaj në lindje të Prishtinës përmes kodrës së Mirditës deri te xeherorja e Ajvalisë e deri te rrjedha e lumit të Graqanicës, kufiri jugor shkon përmes rrjedhës së këtij lumi deri te derdhja e lumit të Busisë në të. Në lindje kufiri shtrihet përmes lumit të Busisë deri te fshati Mramor e Butos, e pastaj deri te lumi i Prishtinës i cili është kufiri verior i këtij masivi malor. Pika më e lartë e Gërmisë është Maja e Butosit me lartësi mbidetare prej 1095 m/lmd.Masivi i Gërmsë ka rëndësi të jashtëzakonshme për Prishtinën sepse është i vetmi park i kësaj kategorie, dhe si i tillë kryn shumë funksione për qytetarët e vendit. Ky masiv malor ruan vlera të mëdha të florës dhe faunës, ndërsa vet relievi paraqet resurs të pashtershëm për zhvillimin e turizmit malor, sporteve malore si dhe aktiviteteve të tjera që lidhen direkt me edukimin në natyrë.
Për shkak të bukurive të posaçme natyrore, vlerave burimore dhe estetike natyrore të cilat janë me rëndësi kulturore- arsimore, shkencore dhe turistike- rekreative kësaj zone i është kushtuar edhe një përkujdesje ligjore qysh herët.

Në vitin 1966 vendoset që një pjesë e masivit malorë të Gërmisë të shpallet si “Pyje për piknik” (“GZK” nr. 32/66). Në vitin 1987 Kuvendi Komunal I Prishtinës merr Vendim për vënien nën mbrojtje të Kompleksit të “Gërmia” në kategori të Parkut regjional i natyrës (“GZK” nr. 43/87). Me këtë është mbrojt sipërfaqja prej 1.126.01.00 ha. Në bazë të këtij vendimi me Parkun e menaxhon OP. “Hortikultura”. Ndërsa mbikëqyrjen profesionale e bën Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës. Sipas IUCN (Unionit botëror për Ruajtjen dhe Konservimin e Natyrës) Parku i Gërmisë është evidentuar në listën ndërkombëtare të zonave të mbrojtura (IUCN, 1990 United Nation List of National Parks and Protected Areas)
Tanimë parku është anëtar i rrjetit prej 63 zonave të mbrojtura nga Parqet Dinarike, nga 8 vende të të ndryshme.
Në botë, dhe posaqerisht në Evropë, është i zhviluar jashtëzakonisht shumë, Turizmi Malor dhe Kulturor, si dhe Zebra Turizmi; por fatkeqësisht, Kosova nuk bën pjesë në asnjërën hartë turistike, e që konsideohet serioze nga të huajt. Këtu nuk bën përjashtim as Gërmia si pasuria e vetme malore e Prishtinës.

Relievi i Gërmisë përbëhet prej kodrave me lartësi dhe pjerrësi të ndryshme të ndara mes tyre me hapësira të luginave të përroskave dhe lumenjve. Këtu posaçërisht veçohet lugina e lumit Vellusha e cila buron në pjesën perëndimore të kodrës së Butosit, e cila edhe përfaqëson relievin më karakteristik me lartësi mbidetare 1000 m dhe gjatësi prej afro 8 km. Kjo pjesë shtrihet në mes të lumit të Prishtinës në veri dhe atij të Badocit në jug, e që njëkohësisht paraqet nyjen hidrologjike të lumit të Prishtinës, Vellushës dhe Badocit. Përndryshe në Gërmi ekzistojnë edhe mjaftë burime të cilat gjatë periudhës verore pjesërisht thahen. Sot uji i këtyre burimeve është I lidhur me një rrjetë që derdhet në pishinën e Gërmisë.
Në sajë të pozitës gjeografike, veçorive gjeologjike, pedologjike, kushteve klimatike masivi malor i Gërmisë është mjaft i pasur si në pikëpamje floristike, vegjetative dhe faunistike.

 Nga hulumtimet e deritashme janë të evidencuara 610 lloje të florës vaskulare të grumbulluara në 82 familje dhe 83 lloje kërpudhash duke mos llogaritur taksonet e 
barërave të këqija, atyre ruderale dhe bimëve tjera të ulta. Prej tyre 5 lloje janë endemike dhe 12 lloje mjekësore. Vegjetacionin pyjor të Gërmisë e përbëjnë 4 bashkësi pyjore: Bashkësia e shpardhit dhe qarrit (prej 600- 700 m lartësi mbidetare), bashkësia e bungut dhe shkozës (800 m ), bashkësia e bungut (820- 870 m) dhe bashkësia e ahut (1000 m). Kompleksiteti i biotopeve natyrore të Gërmisë siguron kushte për jetesën e një sërë llojesh shtazore.
Sipas hulumtimeve të bëra deri më sot dhe sipas shënimeve të literaturës në regjionin e Gërmisë janë regjistruar: 5 lloje ujëtoksorësh, 7 lloje të rrëshqitësve, 19 lloje të gjitarëve dhe 30 lloje të shpendëve. Po ashtu jetojnë edhe një numër I madh I insekteve që përbëjnë grupin më të madh të shtazëve në këtë masiv. Ndërsa të dhënat nga terreni sot janë alarmante, flitet për zhdukjen e shumë llojeve bimore dhe shtazore.

Mbi 75 % e sipërfaqes së Parkut të Gërmisë është e mbuluar me pyje mjaftë të ruajtura me bashkësi të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut. Një pjesë të rëndësishme të sipërfaqes së mbrojtur e përfshinë edhe zona për rekreacion dhe pushim, në të cilën gjenden edhe livadhe si dhe infrastruktura e ndërtuar. Zona e pyjeve përfshinë 884.57.07 ha, zona e kullotave 204.29.00 ha, zona e livadheve 42. 55. 16 ha, kopshteve 2.67. 54 ha, toka jopjellore 14. 24. 79 ha dhe zone e ndërtimeve dhe rrugëve 19. 67. 72 ha.
Në kuadër të territorit të mbrojtur gjendet edhe zona për rekreacion dhe pushim, e cila përfshinë një sipërfaqe prej 41.40.52 ha.
Kufiri i Parkut Gërmia është i përcaktuar me Rregullore të veçantë, gjë që e rritë mundësinë për mbrojtjen dhe zhvillimin e Parkut

Rrjeti i i përgjithshëm i identifikuar

Vëmendje: 

  • Gjatë punimeve nuk është hapur asnjë shteg i ri por janë përdorur shtigjet aktuale të cilat janë në përdorim
  • Standardet ambientaliste janë respektuar në të gjitha fazat duke minimizuar në maksimum impaktin e njeriut në natyrë
  • Jo i gjithë rrjeti i identifikuar është vendosur në hartën tematike / disa konsiderohen të hirta (toka private, standard i pasigurt ose të dyzuara)
  • Është konsultuar vazhdimisht Drejtoriae Parqeve, Instituti  i Natyrës dhe subjektet sportive të vrapimit, ecjes shëndetësore dhe çiklizmit
  • Sinjalistika e vendosur është standard i Republikës së Kosovës

Në masivin e Gërmisë janë identifikuar gjithsej 78.48 KM shtigje rekreative, të cilat e formojnë rrjetin e gjallë për zhvillimin e aktiviteteve dhe sporteve malore në gjithë territorin. Rrjeti i shtigjeve rekreative në 85 % të sasisë së tij gjendet brenda territorit të parkut, ndërsa pjesa tjeter e shtigjeve prej 15% gjendet në pyjet të cilat janë jashtë territorit të parkut, ose janë rrugë të qarkullueshme brenda pyjeve private.

Plani bazik i shtigjeve përshkon të gjitha shtigjet e përdorshme, duke e vënë në shfrytëzim pothuajse gjithë territorin e parkut dhe duke e shpërndarë masën e vizitorëve dhe jashtë luginës kryesore. Vënja në shfrytëzim dhe ofrimi i shtigjeve si opsion për vizitorët, është edhe caku kryesor i projektit, sepse kjo e zgjeron ofertën turistike dhe e bën parkun më të përdorshëm, duke ua mundësuar qytetarëve që ti shfrytëzojnë dhe shijojnë resurset e mëdha malore të Gërmisë.

Rrjeti i definuar dhe i matur në këtë projekt ka linja logjike të përdorimit dhe është i kategorizuar duke u mbështetur në natyrën e aktiviteteve të zhvilluara qe shumë vite. Qytetarët e vendit i kanë përdorur rregullisht dhe në çdo stinë, dhe nag ky kërkim kemi ardhur në përfundim se, kategorizimi sipas destinimit, është i nevojshëm për shumë arsye, duke filluar nga orientimi i përdoruesve, siguria, si dhe trendet dhe kërkesat specifike.

Definimi dhe publikimi i rrjetit do të krijojë mundësi që masa e vizitorëve të ketë shpërndarje më të gjerë, dhe të lirohet pjesa qëndrore e Gërmisë. Benefitet e rrjetizimit janë të shumëllojshme, duke dilluar nga ato shëndetësore, edukative e deri te zgjimi i ideve të reja sportive.

Ky rrjet i lidh të gjitha lagjet dhe pothuajse të gjitha fshatrat rreth masivit të gërmisë, qoftë me shtigje të kaltërta, gjebra, apo të hirta. Në rrjet ka qasje nga hrja kryesore e Gërmisë, nga lagjet e Vreshtave, Zllatarit, Matit, Sofalisë; si dhe nga fshatrat Butovc, Llukar, Makoc, Grashticë, Mramor dhe Novosellë (Strehimorja e Arinjve). Pra është rrjet i gjallë dhe e përcjell natyrshëm relievin e vargmalit.  

Pika më e lartë e parkut është Bregu i Butovcit 1095 m/lmd, por ka edhe të tjera kuota të larta brenda dhe jashtë rrjetit. Pika më e lartë në rrjet është afër 1006 m/lmd.

RRETH GERMIA PARK

Parku Kombëtar i Gërmisë është një destinacion popullor si për vendasit ashtu edhe për turistët, duke ofruar një gamë të gjerë aktivitetesh dhe atraksionesh që i përshtaten çdo interesi. Me peizazhet e saj mahnitëse, trashëgiminë e pasur kulturore dhe kafshë të egra të larmishme, Gërmia është një destinacion që duhet vizituar për këdo që udhëton në Kosovë.

55 km

Shtigje të definuara dhe të markuara

11 shtigje

Njëmbëdhjetë shtigje të veçanta dhe të lidhura në rrjet

50+

Bimë mjeksore të identifikuara

1 milion+

Mbi 1 milionë vizitor çdo vit

LE TË QËNDROJMË NE KONTAKT

Informohuni rreth planifikimit të vizitës për në Parkun e Gërmisë duke marrë këshilla praktike nga udhëzuesit tanë.

Tel:

+383 44 889 519

E-Mail:

Adresa:

Dr. Shpëtim Robaj, Parku i Germisë,
10 000 Prishtinë

Adresa:

Dr. Shpëtim Robaj, Parku i Germisë,
10 000 Prishtinë