Skip to content Skip to footer

Rreth projektit

Shënimi dhe zhvillimi i platformës së rrjetit të shtigjeve rekreative të Gërmisë është projekt dhe strategji e cila mbështetet në konceptin e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm malor, me qëllim të formësimit të shtigjeve për ecje shëndetësore, aktivitete rekreative malore, edukative dhe turistike. Është projekt i mbështetur në kërkime në terren dhe gjetjen e opsioneve më të thjeshta për definimin e shtigjeve ekzistuese, vendosjen e sinjalistikës, kategorizimin e tyre dhe rritjen e sigurisë në gjithë zonën e mbrojtur dhe jo vetëm. Ruajtja e ambientit dhe inkurajimi i qytetareve për shfrytëzimin e Gërmisë si kulturë shëndetësore mbetet caku kryesor i projektit dhe synim i Komunës së Prishtinës.

Gjatë realizimit të projektit nuk është hapur asnjë shteg i ri; por në koordinim me Drejtorinë e Parqeve të Komunës së Prishtinës dhe komunitetin sportiv është rrjetëzuar dhe artikuluar sasia aktuale e shtigjeve duke i kategorizuar, emëruar dhe regjistruar në hartën finale tematike të Gërmisë.

Janë të definuara dhe shënuara 11 shtigje malore me gjithsej 55 km gjatësi të përgjithshme; është krijuar harta digjitale e shtigjeve dhe është lansuar ueb-faqja e Gërmisë.  Shtigjet janë të orientuara sipas konfiguracionit të terrenit me qëllim të përfshirjes së shumicës së territorit malor të Gërmisë dhe Liqenit të Badovcit brenda rrjetit si dhe lidhjes me fshatrat Butovc, Suteskë, Novosellë, Mramor dhe Grashticë.

Projekti është financuar nga Komuna e Prishtinës nëpërmes Drejtorisë së Hapësirave Publike dhe Parqeve me ç’rast kanë ndihmuar në aspektin e monitorimit, koordinimit dhe kadastrit; por është përkrahur fuqishëm edhe nga Pro Credit Bank, subjektet sportive dhe qytetarë të shumtë.

Realizuar nga Klubi Alpin Prishtina

Qershor 2023, Prishtinë